UGSH Nderon Figurat Kyçe të Medias Shqiptaro-Amerikane në New York: Çmime për Gazetarët Legjendarë

Këtë të shtunë Dt 13-Dhjetor 2025, në Nju Jork u zhvillua një veprimtari e shënuar për komunitetin shqiptar në SHBA, e organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në SHBA (UGSH, Dega USA). Në sallën e Kishës “Zoja e Shkodrës” u mblodhën përfaqësues të komunitetit shqiptaro-anerikan, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues fetarë, diplomatë nga Ambasada e Kosovës, si dhe ekipi ynë i USALB TV, i cili ishte prezent dhe ndoqi me kamera të gjithë zhvillimin e eventit.

Aktiviteti filloi me intonimin solemn të himneve të tri shteteve: atë të SHBA-së, Himnit Kombëtar (të Shqipërisë) dhe të Republikës së Kosovës.

Shfaqet Dokumentari “Dom”

Pika qendrore e mbrëmjes ishte shfaqja e dokumentarit “Dom”. Me Regji te Bujar Alimanit dhe me skenar të Dritan Haxhia, i ishte kushtuar jetës dhe veprimtarisë dyzetvjeçare të një prej figurave kyçe të komunitetit, meshtarit Dom Pjetri.

Nderohen Gazetarë të Shquar

Një moment me emocione të veçanta ishte ai i nderimeve. Unioni i Gazetarëve, Dega USA, vlerësoi me çertifikata disa emra të njohur të gazetarisë shqiptaro-amerikane, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të çmuar ndër vite:

  • Frank Shkreli
  • Idriz Lamaj
  • Virgjil Kule
  • Gjek Gjonlekaj

Këta profesionistë u njohën për kontributin e tyre në publicistikë dhe media, si në ato shqiptare ashtu edhe në ato amerikane.

Përshëndetjet dhe Pjesëmarrja

Mbrëmja u organizua dhe drejtua nga Kryetari i UGSH për USA, Dritan Haxhia, si dhe koordinatorja Elona Paja Biba. Takimi mori një përshëndetje nga Tirana, prej kryetarit të UGSH, gazetarit Aleksandër Çipa.

Takimin e përshëndetën gjithashtu Dr. Pashko Camaj, sekretar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, i cili përgëzoi organizatorët për rëndësinë e ngjarjes, dhe kandidati për Kongresin Amerikan, bashkëatdhetari nga Kosova, Diamant Hysenaj.

Mbrëmja, që pati edhe surpriza, u finalizua me urimin për vazhdimësinë e aktiviteteve të tilla. Nga kjo veprimtari, USALB TV, i cili e ndoqi dhe e filmoi gjithë zhvillimin, do të transmetojë së shpejti një përmbledhje të detajuar në kuadër të emisionit “IN & OUT ALBANIA”.