Një vendim i papritur dhe radikal nga Departamenti i Emigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të sjellë përmbysje të mëdha për mijëra emigrantë, përfshirë edhe shumë shqiptarë. Agjencia zyrtare USCIS ka publikuar një memorandum të ri politikash që godet drejtpërdrejt ata që tentojnë të marrin Rezidencën e Përhershme apo të bëjnë bashkime familjare duke ndryshuar statusin nga brenda Amerikës. Por kush preket realisht nga ky vendim dhe çfarë ndodh me bashkimet familjare?.”
Sistemi i emigracionit në Shtetet e Bashkuara po pëson një nga tronditjet më të mëdha të viteve të fundit. Agjencia Zyrtare e Shtetësisë dhe Emigracionit, USCIS, ka bërë të ditur një rregull të ri që ndryshon rrënjësisht mënyrën se si jepet “Green Card”-a.
Deri më sot, një numër i madh shqiptarësh që udhëtonin drejt Amerikës me viza të përkohshme—si ato turistike apo studentore—shfrytëzonin qëndrimin atje për t’u martuar apo për të nisur procedurat e bashkimit familjar, duke e pritur lejen e qëndrimit brenda territorit amerikan pa pasur nevojë të ktheheshin në Shqipëri.
KUSH BLLOKOHET?
Me rregullin e ri, kjo “rrugë e shkurtër” bllokohet plotësisht. USCIS ka deklaruar se vizat e përkohshme kanë qëllim joemigrues. Prandaj, nëse një person hyn në SHBA si turist apo student dhe më pas aplikon për bashkim familjar, ai nuk do të lejohet më ta ndryshojë statusin nga brenda Amerikës. Ky person do të jetë i detyruar ligjërisht të kthehet në vendin e origjinës dhe ta presë takimin dhe vizën e përhershme në Ambasadën Amerikane në Tiranë.
KUSH NUK PREKET?
Për të shmangur panikun, ekspertët ligjorë sqarojnë se ky vendim nuk e anulon ligjin e bashkimit familjar, por thjesht ndryshon vendin se ku pritet viza.
Procedura brenda Amerikës mbetet e vlefshme dhe e paprekur vetëm për dy kategori:
- Së pari, për personat që hyjnë me viza të posaçme ferese, të njohura si vizat K-1.
- Së dyti, për ata që ndodhen në SHBA me viza të rregullta pune me qëllim të dyfishtë, siç janë vizat H-1B apo L-1.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ndryshimi i statusit brenda Amerikës për turistët ka qenë një “hir administrativ” dhe jo një e drejtë automatike. Avokatët e emigracionit e shohin këtë masë si mjaft shtrënguese, e cila do të sjellë vonesa të gjata për shkak të mbingarkesës nëpër ambasada.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke krijuar një situatë të re emergjente për të gjithë ata që planifikonin të rregullonin dokumentet pa u larguar nga toka amerikane.
Dt: Nju Jork, SHBA – Maj 2026
Reporter: Redaksia e Lajmeve
Për USALB TV




