NJU JORK – Magjia e traditës, muzika e zgjedhur dhe emocionet e një feste që bashkon komunitetin shqiptar përtej kufijve u bënë protagonistët absolutë të mbrëmjes gala “Nëntori Shqiptar në Nju Jork”, e cila mbajti edicionin e saj të gjashtë në ambientet prestigjioze të Capital Ballroom.
Ky event unik mblodhi personalitete të shquara të artit, medias, biznesit dhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke e shndërruar skenën në një dritare të identitetit, suksesit dhe krenarisë kombëtare.
Nën moderimin e kujdesshëm të Teni Vllacajt, Ina Dajçit dhe Soli Simakut, spektakli solli një program të pasur artistik. Vëmendja u nda mes momenteve të estetikës dhe modës, si dhe vlerësimit të figurateve që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme.
Një nga pikat kulmore të mbrëmjes ishte kompeticioni Miss Albania NY 2026. Kandidatet shkëlqyen në skenë, duke u prezantuar fillimisht me kostume tradicionale shqiptare dhe më pas me veshje glamour, të cilat sollën një ndërthurje mes elegancës moderne dhe trashëgimisë kulturore. Në përfundim, u shpallën fitueset e këtij edicioni, ndërsa dy vajzat e renditura në krye siguruan biletën e kualifikimit për në Miss Universe Albania 2027.
Mbrëmja vijoi me ndarjen e çmimeve të merituara për personalitete me kontribute të spikatura. Ndër të vlerësuarve ishin gazetarja Ilva Tare, për profesionalizmin dhe angazhimin në komunikimin publik; Mani Gashi dhe Marko Kepi, për profilin e tyre të veçantë në komunitet; si dhe Erik Troqe, një emër që po spikat fuqishëm në showbizin ndërkombëtar.
Një nga çastet më emocionuese të mbrëmjes ishte nderimi i divës së muzikës shqiptare, Adelina Ismaili. Produksioni vlerësoi karrierën e saj të jashtëzakonshme dhe kontributin e pashlyeshëm në artin shqiptar, një dedikim që artistja e kurorëzoi me një performancë live në skenë, duke elektrizuar të pranishmit.
Mirënjohja vijoi edhe për dy ikona të tjera të skenës sonë, Valbona Mema dhe Gëzim Nika, të dy të vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Përveç çmimeve në shenjë respekti për dekada karrierë, ata dhuruan interpretime live që sollën nostalgji dhe atmosferë festive në sallë.
I organizuar me sukses nga producenti Eduart Deda, edicioni i gjashtë dëshmoi edhe një herë fuqinë e eventeve që jo vetëm promovojnë vlerat kombëtare në diasporë, por edhe nderojnë shqiptarët që ngrenë lart emrin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Ky ishte më shumë se një spektakel; ishte një dëshmi se, kudo që jetojnë, shqiptarët mbeten të lidhur fort me rrënjët, kulturën dhe identitetin e tyre.
Nëntor, 2026
Nga: USALB NEWS




