Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Forumin për Partneritet dhe Paqe dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit me një mikpritje të ngrohtë dhe emocionuese nga komuniteti shqiptar në qytetin e Philadelphia-s.
Në një atmosferë festive, fëmijët shqiptarë të shkollës së gjuhës shqipe, organizuar nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”, interpretuan me zë të qartë dhe zemër plot himnin kombëtar shqiptar, himnin amerikan dhe këngë të pasura me motive patriotike, duke i dhënë kështu një mirëseardhje madhështore Kreut të Shtetit shqiptar.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj falënderoi me emocion të gjithë pjesëmarrësit dhe mësuesit që mbajnë gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare mes brezave në diasporë.
“Ju falënderoj nga zemra për gjithë punën e palodhur që bëni për të ruajtur dhe përçuar identitetin tonë kombëtar. Mësuesit e gjuhës shqipe janë hero të heshtur që çdo ditë mbjellin dashurinë për Shqipërinë te fëmijët tanë. Kjo është një detyrë fisnike dhe një dhuratë e çmuar për të ardhmen tonë,” theksoi Presidenti.
Ai vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare në Amerikë i ka dhënë jo vetëm ruajtjes së identitetit, por edhe promovimit të çështjes shqiptare në nivelet më të larta shtetërore amerikane.
“Historia juaj është një dëshmi e fuqisë së qëndresës dhe përkushtimit. Nga vendi ynë në zemër të Evropës, në këtë tokë të madhe, ju keni ngritur një komunitet të fortë që mban gjallë shqipen dhe kulturën tonë. Ky është një kontribut që meriton mirënjohje të thellë,” shtoi ai.
Gjithashtu, Presidenti shprehu admirimin për iniciativat e shumta që kanë sjellë ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve shqiptare, duke ndihmuar në integrimin e bashkatdhetarëve në shoqërinë amerikane, pa u larguar kurrë nga rrënjët dhe vlerat kombëtare.
“Ju jeni frymëzim për ne dhe burim i pashtershëm energjie. Diaspora shqiptare është një kapitull i veçantë në historinë tonë kombëtare, një urë lidhëse e fortë midis Shqipërisë dhe botës,” deklaroi ai.
Në mbyllje të takimit, Presidenti Begaj falënderoi autoritetet lokale të Philadelphia-s për mbështetjen e vazhdueshme të projekteve të komunitetit, duke përmendur me krenari vendosjen e emrit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në rrugën “Willits Road”.
Vizita përfundoi me një vështrim të veçantë në “Shtëpinë e Shqiptarit”, qendrën kulturore të ngritur nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”, që funksionon si një oazë ku trashëgimia dhe kultura shqiptare përçohen me pasion dhe përkushtim te brezat e rinj.





