Kënaqësi të shohim fëmijët e emigrantëve kudo në botë që kanë arritur një progres të ndjeshëm dhe një integrim të suksesshëm në vendet ku jetojnë, sidomos në Greqi – aty ku përmes përkushtimit të palodhur të shoqatës “Progresi – Proodos”, gjuhës dhe kulturës shqiptare i jepet jetë çdo ditë, mes klasash, aktivitetesh dhe përvojash të paharrueshme.
Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kjo shoqatë e nderuar mori pjesë, së bashku me nxënësit, prindërit dhe mësuesit, në një veprimtari madhështore të zhvilluar në ambientet e Pallatit Presidencial në Tiranë, me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, dhe me mbështetjen e Konsulles së Republikës së Shqipërisë në Selanik, znj. Erida Dobrushi.
Në këtë aktivitet emocionues, ku ishin të pranishëm mbi 450 fëmijë nga Shqipëria dhe diaspora, fëmijët e shoqatës “Progresi” jo vetëm përfaqësuan me dinjitet komunitetin shqiptar në Greqi, por sollën edhe një frymë të pastër përkushtimi, dashurie dhe identiteti.
Si media shqiptare që operon nga New York-u, USALB Televizion ndjen detyrimin moral dhe krenarinë profesionale për të vlerësuar publikisht punën e palodhur që bëhet në këtë komunitet – duke përfshirë jo vetëm organizatorët dhe mësuesit, por edhe prindërit që mbështesin çdo hap të fëmijëve të tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe lidhjes me Shqipërinë.
Në mënyrë të veçantë, vlerësojmë përkushtimin dhe përpjekjet e znj. Eva Paloka, një figurë e angazhuar e komunitetit, e cila me energjinë dhe dashurinë për fëmijët dhe gjuhën shqipe ka qenë një ndër shtyllat kryesore në realizimin e kësaj përvoje kaq domethënëse. Një falënderim i përzemërt i shkon edhe kolegeve të saj të nderuara, Nertila dhe Keti, për punën dhe bashkëpunimin shembullor, si dhe z. Thodhori Miho, kryetari i nderit i shoqatës, i cili me përkushtimin e tij ka qenë gjithmonë një mbështetje e çmuar për çdo nismë.
Mirënjohje e veçantë i shkon edhe Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Selanik dhe znj. Erida Dobrushi për përkushtimin dhe mbështetjen që i ofrojnë në vazhdimësi komunitetit shqiptar, si në ruajtjen e identitetit kombëtar, ashtu edhe në përfaqësimin dinjitoz të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.
Mirënjohje gjithashtu për prindërit, nxënësit dhe të gjithë miqtë e shoqatës “Progresi – Proodos”, të cilët treguan se dashuria për rrënjët, për gjuhën, dhe për atdheun nuk njeh lodhje, distancë apo pengesa.
Edhe pse udhëtimi nga Selaniku drejt Tiranës ishte i gjatë, sfidues dhe i mbushur me emocione, kjo nuk ndali për asnjë çast dëshirën dhe përpjekjen për të qenë pjesë e kësaj dite të veçantë – një ditë që me siguri do të mbetet e paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Le të buzëqeshin fëmijët tanë! Sepse kur fëmijët qeshin, shuhen kufijtë, lulëzojnë shpresat dhe lind e ardhmja. Shoqata “Progresi – Proodos” është dëshmi e gjallë e kësaj të ardhmeje që po ndërtohet me durim, me dashuri dhe me besim.
USALB Televizion, si zë i diasporës shqiptare në Amerikë, Kanada dhe kudo ku jeton diaspora shqiptare, mbështet dhe përshëndet çdo hap të tillë që i shërben fëmijëve, komunitetit dhe lidhjes së ngushtë me Shqipërinë.





