Takimi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: Një traditë që mban gjallë fjalën shqipe

Në kuadër të Muajit të Librit dhe Artit Shqiptar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (SHSHA) organizoi në “GR Art Gallery” të Stamford, Connecticut, aktivitetin “Tubimi i Shkrimtarëve”, që bashkoi autorë, poetë dhe artistë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

Ngjarjen e hapi Dr. Yllka Filipi, kryetare e SHSHA-së, e cila theksoi rëndësinë e fjalës së shkruar në ruajtjen e identitetit kombëtar. Ndërsa presidenti i SHSHA-së, Adnan Mehmeti, e cilësoi këtë tubim si një premtim për të vazhduar të shkruhet e të lexohet, duke e parë kulturën si forcë bashkuese të shqiptarëve në diasporë.

Pjesë e veçantë e aktivitetit ishte edhe ekspozita e piktorit shkodran George Pali, një homazh për artin dhe traditën shqiptare. Producenti Aurel Naqi e përshkroi ngjarjen si “një festë të fjalës dhe ngjyrës”, ku letërsia dhe piktura u ndërthurën në harmoni.

“Tubimi i Shkrimtarëve” u kthye në një moment reflektimi dhe bashkimi për komunitetin, duke përcjellë mesazhin se fjala shqipe mbetet ura që lidh brezat dhe ruan shpirtin kombëtar.aurel

Nga Stamford Connecticut

për USAlB Tv

Aurel Naqi