Viti i pestë i “Tetorit Rozë” në Brooklyn: Gratë shqiptare bashkohen për shëndetin, forcën dhe shpresën.

Brooklyn, New York – Tetor 2025 – Organizata “Albanian Women in USA” shënoi me sukses vitin e pestë të aktivitetit të saj të përvitshëm në kuadër të muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Tetorit Rozë.

Ky event u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e frymëzuese në zemër të Brooklyn-it, ku dhjetëra gra shqiptare nga Brooklyn, Queens, Bronx dhe Connecticut u bashkuan për një qëllim të përbashkët: shëndetin, mbështetjen dhe fuqizimin e grave.

Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur të organizatës, Senatori i Shtetit të New York-ut Z. Steve Chan dhe Znj. Svetlana Zelinskaya, Zëvendëskryetare e Partisë Republikane për Brooklyn dhe lidere e zonës 46, nderuan Albanian Women in USA me një çmim mirënjohjeje për kontributin e saj të vazhdueshëm në komunitetin shqiptar dhe në fuqizimin e grave në SHBA.

Një ditë e mbushur me dashuri, solidaritet dhe shpresë

Ngjyra rozë, simbol i shpresës dhe forcës, dominoi çdo detaj të eventit – nga dekorimet e elegancës, te tryezat me ushqime të përgatitura nga zonjat pjesëmarrëse, e deri te buzëqeshjet dhe përqafimet që përhapnin ngrohtësi në çdo cep të parkut.

Fëmijët luanin së bashku, ndërsa gratë ndanin emocione, kujtime dhe inkurajime për njëra-tjetrën.

Eventi u hap me fjalime frymëzuese nga Doktoresha Ada Biço dhe Psikologia Fabiola, të cilat folën për rëndësinë e zbulimit të hershëm, kujdesit ndaj shëndetit mendor dhe fizik, si dhe ndikimit që mbështetja komunitare ka në procesin e shërimit.

“Zbulimi i hershëm shpëton jetë. Kujdesi për veten është përgjegjësi dhe dashuri ndaj familjes,” theksoi Doktoresha Biço.

Ndërsa Psikologia Fabiola shtoi: “Shërimi fillon nga pranimi, dashuria dhe solidariteti mes nesh.”

Zëra, histori dhe emocione të sinqerta

Pjesëmarrëset ndanë histori prekëse për përballjen me kancerin e gjirit – me dhimbje, humbje, por edhe me guxim dhe shpresë. Këto rrëfime u bënë frymëzim për shumë gra që morën pjesë për herë të parë, duke treguar fuqinë e bashkimit dhe mbështetjes reciproke.

Atmosfera u pasurua më tej me muzikë, lojëra për fëmijë, giveaway simbolike dhe momente gëzimi komunitar, duke e kthyer këtë ditë në një festë të jetës dhe dashurisë për veten.

Një moment krenarie për komunitetin shqiptar

Në fund të aktivitetit, Senatori Chan përgëzoi organizatën për rolin e saj të rëndësishëm:

“Albanian Women in USA është shembull frymëzues i lidershipit dhe solidaritetit femëror. Ato po ndërtojnë ura të forta bashkëpunimi në komunitetin tonë.”

Ndërkohë, Znj. Svetlana Zelinskaya theksoi se është e rëndësishme të njihet puna e grave shqiptare që “jo vetëm kujdesen për familjet e tyre, por edhe kontribuojnë në forcimin e komunitetit tonë të përbashkët.”

Mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe median komunitare

Eventi u dokumentua me kujdes nga fotografja Znj. Elsa Dautaj, e cila kapi çdo emocion me profesionalizëm, dhe Z. Gjergji Kovaci, President i USALB TV, i cili mbështeti eventin me përkushtim mediatik, duke ndihmuar në promovimin e aktiviteteve komunitare shqiptare në SHBA

.Arjola Alldashi
Aleksander Rena

TETOR
Brooklyn. NY.2025