Ka mbrëmje që nuk planifikohen, ato ndodhin, dhe shpesh, janë pikërisht këto që mbeten më gjatë në kujtesë. Një e tillë nisi rastësisht, përpara librarisë në zonën e Republikës, me një përshëndetje dhe ftesë spontane nga Vaska: “Eja sonte në Mësonjtorja.” Ky ambient, tashmë një pikë referimi për jetën kulturore të qytetit, nuk është vetëm vendi ku shijohet ushqimi apo muzika, por hapësira ku ruhet me përkushtim identiteti korçar, falë vizionit të pronarit Niko Treska. Tavolinë modeste, por plot shpirt, mblodhën ata që flasin me tinguj: Leo Ligori, Aleko Pëllumbi, Arjan Hallo dhe Berti Pikuli. Kitarat e tyre nuk ishin thjesht instrumente, por ura që lidhnin kujtimet, nostalgjinë dhe traditën. Teksa pedonalja zbrazej dhe qyteti futej ngadalë në qetësinë e natës, aty brenda gjithçka merrte jetë. Serenatat rridhnin natyrshëm, të ndërthurura me të qeshura dhe rrëfime të hershme. Ishte një kujtesë e gjallë se muzika korçare nuk është relike e së shkuarës, por fryma që vazhdon të pulsojë në zemrën e qytetit. Në një kohë kur ritmet moderne dominojnë hapësirat urbane, këta artistë mbeten roje të trashëgimisë të çmuar. Ata nuk performojnë për skena të mëdha, por për shpirtin e qytetit, dhe kjo është ajo që i bën të pazëvendësueshëm. Nëse rruga ju çon në Korçë, kërkoni këto tinguj. Ndoshta nuk do t’i gjeni të shpallur në afishe, por do t’i ndjeni në ajër. Dhe kur t’i dëgjoni, do të kuptoni se disa qytete nuk flenë, ato këndojnë.
Për USALBTV : Aurel Naqi




