Garfield, New Jersey, 24 maj 2025 – Në një mbrëmje të pasur me emocione dhe reflektim, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në bashkëpunim me Aleancën Shqiptare të New Jersey-t organizuan promovimin e dy librave të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj: “Kush na mallkoi” dhe “Pikëllim dhe Shpresë”.
Ngjarja mblodhi studiues, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët vlerësuan lart krijimtarinë e autores si një pasqyrë e fortë e përvojës shqiptare në emigracion dhe e lidhjes shpirtërore me atdheun.
Zëvendëskryetari i qytetit të Garfield, z. Kevin Kane, theksoi se këto vepra përçojnë tema universale si qëndresa, shpresa dhe identiteti kulturor. Ndërsa përfaqësuesja e Aleancës, Arjana Fetahu Gaba, foli për rëndësinë e librave në gjuhën shqipe për ruajtjen e kulturës në diasporë.
Dr. Yllka Filipi e cilësoi romanin “Kush na mallkoi” si një vepër me thellësi simbolike që trajton ndjeshëm dhimbjen kolektive dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve, ndërsa Dr. Bexhet Asani e vlerësoi atë si një dokument letrar mbi eksodin shqiptar të shekullit XX.
Librat u trajtuan gjithashtu nga studiues të tjerë si Prof. Besim Muhadri, Arjeta Kotrri-Ferlushkaj dhe Mëhill Velaj, të cilët analizuan tematikën, stilin dhe emocionin e fuqishëm që përcillet në faqet e veprave.
Përmes recitimeve dhe diskutimeve, promovimi u kthye në një homazh për shqiptarët e mërguar, për dashurinë ndaj vendlindjes dhe për rezistencën shpirtërore në përballje me largësinë. Autoria Age Ivezaj, në fjalën e saj mirënjohëse, e quajti këtë ngjarje një përjetim të thellë që i jep forcë për të vijuar rrugën krijuese. Ajo ndau me publikun motivimin pas këtyre librave, duke i dedikuar veprën e saj vëllait të ndjerë Tomë Gjokaj – një figurë me kontribute të mëdha për çështjen shqiptare.
Në fund, Aleanca Shqiptare nderoi me Certifikatë Mirënjohjeje Pjetër dhe Liljana Gashin për kontributin e tyre në komunitet. Ngjarja u ndoq dhe drejtpërdrejt nga Tirana falë gazetarit Denion Ndrenika, duke e kthyer promovimin në një urë të bukur mes diasporës dhe atdheut.