Gjakovë, Kosovë – USALB TV
USALB TV përcjell me vlerësim dhe krenari lajmin për nderimin e z. Mentor Maksutaj, Kryetar i Federatës Panshqiptare VATRA në Boston, i cili është dekoruar nga Policia e Gjakovës me Medaljen e Mirënjohjes, gjatë një takimi zyrtar me Drejtorin Rajonal të Policisë, Kolonel Lumni Graishta.
Ky vlerësim i lartë u bë në shenjë respekti për kontributin e palodhur të z. Maksutaj në mbështetje të çështjeve kombëtare, ruajtjes së identitetit shqiptar në diasporë dhe nismave humanitare në trojet shqiptare.
Vizita e tij në Kosovë u shënua edhe nga bashkëpunimi me organizatën Albanian Fighting Cancer, përmes së cilës janë dërguar ndihma mjekësore për gratë që përballen me kancerin. Gjithashtu, z. Maksutaj solli edhe ndihmë financiare për të fuqizuar këtë nismë të ndjeshme dhe jetike.
USALB TV i shpreh urimet më të sinqerta z. Maksutaj për këtë dekorim të merituar, duke theksuar se figura të tilla janë frymëzim për gjithë komunitetin shqiptar në diasporë dhe në trojet tona.
Përmes Federatës VATRA, shqiptaro-amerikanët vijojnë të ndërtojnë ura të qëndrueshme lidhjeje me atdheun, duke e shndërruar dashurinë për vendin në veprim konkret dhe solidaritet.