Një Mbrëmje Nderi për Komunitetin Shqiptar në Zemër të New York-ut

Një Mbrëmje Nderi për Komunitetin Shqiptar në Zemër të New York-ut

Në një ceremoni madhështore të organizuar në rezidencën zyrtare të kryebashkiakut të New York-ut, Eric Adams, shqiptarët e Amerikës u pritën me shumë respekt dhe ngrohtësi në “shtëpinë” e tij, Gracie Mansion në Manhattan. Kjo ngjarje e veçantë u mbajt në kuadër të festimeve të Parades Shqiptare në New York, një ngjarje që ka bërë bashkë komunitetin tonë në Shtetet e Bashkuara.

Organizuar nga “Rrënjët Shqiptare” dhe Marko Kepi, me mbështetjen e Mark Gjonajt dhe shoqatave patriotike nga New York, New Jersey dhe më gjerë, ceremonia u shndërrua në një moment krenarie kombëtare dhe kulturale. Kryebashkiaku Adams falenderoi komunitetin shqiptar për kontributin e tij të rëndësishëm në jetën e qytetit dhe shtetit, veçanërisht në fushën e sigurisë publike, ku shqiptarët kanë një rol thelbësor si pjesë e forcave policore dhe strukturave të emergjencës.

Fjalime emocionuese dhe bekime mbajtën Imam Tahir Kukaj dhe Dom Pjetër Popaj, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe ruajtjes së vlerave tona shpirtërore dhe kulturore. Të rinjtë e “Albanian Roots” mahnitën të pranishmit me valle dhe këngë tradicionale shqiptare, duke sjellë në skenë pasurinë e trashëgimisë sonë të çmuar.

Në përfundim të ceremonisë, kryebashkiaku Eric Adams nderoi për merita të veçanta Sal Rusin, familjen Duka dhe Martin J. Golden, për kontributin e tyre të vyer ndaj komunitetit shqiptar në New York.

Kjo ngjarje është një dëshmi e fortë se shqiptarët në Amerikë ruajnë lidhjet me vendin e tyre të origjinës, ndërkohë që ndërtojnë me punë dhe përkushtim një të ardhme të ndritur në qytetin që nuk fle kurrë.