Në kuadër të pjesëmarrjes së tyre në “Noli Film Festival” që po zhvillohet në ambientet e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, dy aktoret e njohura shqiptare, Luiza Xhuvani dhe Rovena Lule, bënë një vizitë të veçantë dhe të paharrueshme në qendrën e të moshuarve ”VATRA ADHC ne Braintree MA” te drejtuar nga Agron Gjerasi.
Kjo ndalesë u kthye në një përqafim shpirtëror mes artit, kujtimeve dhe dashurisë së madhe për atdheun. Në një atmosferë të ngrohtë, ku emocionet ishin të pranishme në çdo çast, artistet u pritën me buzëqeshje dhe duartrokitje nga të moshuarit, të cilët u emocionuan thellësisht nga ky gjest i veçantë.
Një moment i veçantë dhe prekës ishte takimi i aktores Luiza Xhuvani me z. Skifter Këlliçi, mik i vjetër i familjes, tashmë 90 vjeç. Takimi pas shumë vitesh u shoqërua me lot gëzimi, mall dhe përqafime të përzemërta – një rikthim i papritur i një kapitulli të dashur të jetës.
Artistet zhvilluan edhe një bashkëbisedim me të moshuarit, ku ndanë kujtime nga jeta e tyre artistike, përvoja nga filmat në të cilët kanë interpretuar dhe rolet që i kanë bërë të dashura për publikun. Atmosfera u mbush me emocione të ndërsjella, fotografi kujtese dhe një ndjesi e fortë komuniteti.
Pas vizitës, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin me shumë kënaqësi filmin “My Lake” me regji të Gjergj Xhuvanit, ku luan edhe Luiza Xhuvani – një vepër që preku fort zemrat e shikuesve dhe solli në ekran një histori të fuqishme dhe të ndjerë.
USALB TV edhe kete edicion te dyte e ka ndjekur nga afër këtë festival për tre ditë radhazi dhe së shpejti do të sjellë për publikun shqiptar momentet më të veçanta nga “Noli Film Festival”, përfshirë edhe këtë vizitë të ngrohtë që dëshmon se arti nuk njeh moshë, por vetëm zemër.