New York, 31 maj 2025 – Në një atmosferë të ngrohtë intelektuale dhe me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit shqiptar, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” organizoi promovimin e librit të dytë të trilogjisë kushtuar figurës monumentale të Imzot Fan Nolit, me titullin “Rebeli”, të autorit të mirënjohur Ilir Ikonomi.
Ky botim përbën një arritje të veçantë në publicistikën historike shqiptare dhe një kontribut të vyer në ndriçimin e jetës dhe veprimtarisë së një prej figurave më komplekse të kombit shqiptar. Pas suksesit të librit të parë, Ikonomi sjell me “Rebelin” një përshkrim të thelluar të viteve 1920–1924 në Shqipëri, duke na paraqitur me vërtetësi të dhënash dhe ndjeshmëri historike kontekstin politik, diplomatik, kulturor dhe fetar në të cilin veproi Fan Noli.
Gazetari dhe botuesi Gjekë Gjonlekaj, në fjalën e tij, vlerësoi librin si një pasqyrë të fuqishme të kontributit të Nolit si njeri i kulturës, si prijës shpirtëror dhe si udhëheqës me vizion. Ai theksoi gjithashtu se vepra e Ikonomit nuk është vetëm dokumentim historik, por një përpjekje serioze për të rivendosur një figurë të shtrembëruar për dekada nga historiografia ideologjike.
Në emër të “Vatrës”, përshëndeti sekretari i përgjithshëm Dr. Pashko Camaj, i cili përgëzoi autorin për qasjen e tij kërkimore dhe për sjelljen në dritë të fakteve të reja që ndihmojnë shqiptarët të njohin më thellë historinë dhe figurat e tyre kombëtare. “Ky libër është një kontribut i çmuar për kujtesën historike dhe për vendosjen e figurës së Nolit aty ku i takon – në piedestalin e mendimit të lirë dhe të pavarur shqiptar,” theksoi Camaj.
Momente të veçanta emocionuese solli interpretimi artistik i aktorit të mirënjohur Shaban Lajçi, i cili recitoi me ndjenjë dhe fuqinë e fjalës poezinë simbolike “Anës lumenjve” të Fan Nolit – një krijim që edhe sot mbetet aktual dhe ngjall reflektim për fatin e kombit.
Autori Ilir Ikonomi, në fjalën e tij falënderuese, ndau me të pranishmit përvojën dhe sfidat e punës kërkimore në arkiva dhe biblioteka, duke vënë theksin tek roli i gazetës Dielli dhe vetë Vatrës si pasuri kombëtare për studiuesit shqiptarë. “Vatra është pasuri, gazeta Dielli është historia e Shqipërisë,” u shpreh Ikonomi, duke vlerësuar mbështetjen dhe përkrahjen që i është dhënë për këtë projekt ambicioz.
Takimi u shndërrua në një bisedë të gjallë dhe enciklopedike, ku pjesëmarrësit shtjelluan temat më thelbësore të veprës: rolin e Nolit në kulturën kombëtare dhe politikën shqiptare, marrëdhëniet e tij komplekse me figura si Faik Konica dhe Ahmet Zogu, veprimtaria e tij në Lidhjen e Kombeve, kontributi për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe përfaqësimi i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Një diskutim i veçantë u zhvillua rreth ideve të Nolit mbi kombin, rolin e religjionit në shoqëri, lidhjet e tij me personalitete të diasporës dhe vizioni i tij për një Shqipëri moderne dhe të drejtë. U sollën në vëmendje dokumente austriake e gjermane që flasin për aktivitetin e Nolit në Europë, lidhja e tij me Terenc Toçin në Vjenë dhe bashkëpunimi i mundshëm mes Nolit, Konicës dhe Zogut për çlirimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vatrani Asllan Bushati në fjalën e tij e cilësoi veprën si një “akt ndriçimi historik”, që ndihmon në çrrënjosjen e miteve të pavërteta të periudhës komuniste dhe në paraqitjen e Nolit siç ishte: një burrë shteti, një mendje e ndritur dhe një zë rebel i ndërgjegjes kombëtare.
Në përfundim, shkrimtarja dhe studiuesja Klara Buda ngjalli një debat të gjallë mbi nevojën për një rivlerësim kombëtar të trashëgimisë shpirtërore të Fan Nolit dhe ideja e riatdhesimit të eshtrave të tij në Shqipëri u hodh si një propozim me shumë mbështetje mes të pranishmëve.
Ky promovim ishte më shumë se një ngjarje letrare – ishte një akt simbolik për të nderuar kujtimin dhe veprën e një prej figurave më të mëdha të historisë sonë, një ditë reflektimi për Fan Nolin si atdhetar, dijetar dhe njeri i veprimit.