Shpirti Shqiptar, Zemra Elektrike – Eksplorimet Muzikore të Rozita Fishtës

Shkruar nga: Rafaela Prifti

Rozita Fishta, violinistja solo me banim në Boston, fton publikun të bëhet pjesë e muzikës së saj që “përcjell emocion, jep shpresë dhe përqafon cenueshmërinë duke qenë e sinqertë dhe e vërtetë. Dua që ata të ndihen të parë, të ngushëlluar dhe gjithashtu të frymëzuar, sikur muzika po u shtrëngon dorën për një moment duke u kujtuar se nuk janë vetëm, madje as në kaos.”

Por si qëndron Rozita e ankoruar përballë karrierës së saj në rritje? A është kujtimi i vajzës së vogël shqiptare që luante violinë me të në skenë sot? Dhjetori i saj ishte i mbingarkuar me performanca solo në festat e Krishtlindjeve dhe fundvitit, ngjarje korporative, “një performancë madhore në MGM, një vend që përfaqëson një moment historik në rrugëtimin tim profesional,” thotë ajo, dhe, javën e kaluar, një bashkëpunim me voltazh të lartë me kantautorin shqiptar Mc Kresha. Duke performuar më parë me artistë të tjerë ndikues si Alban Skënderaj dhe Ledri Vula, ajo i vlerëson këto momente “për lidhjen e tyre kulturore, krenarinë dhe identitetin e përbashkët përmes muzikës.”

Trashëgimia Familjare

Violinistja e lindur në Tiranë mori trajnimin e saj në muzikën klasike në shkollën “Preng Jakova” në qytetin e lindjes së prindërve të saj, Shkodër. Shikimi i parë i pianos së hallës së saj ndezi shkëndijën e një eksplorimi gjatë gjithë jetës në muzikë. Meqenëse mësuesit vlerësuan se gishtat e saj të gjatë ishin më të përshtatshëm për të luajtur violinë, Rozita u “lidhet pas telave” që në moshën 5-vjeçare.

Muzika klasike i dha asaj ndjenjën e rrënjëve në trashëgiminë familjare dhe, në vitet e adoleshencës, i ofroi ngushëllim kur babai i saj, Tonin Fishta, u nda nga jeta.

“U rrita duke dëgjuar tregime prej tij për Gjergj Fishtën – se si ai vizitonte rregullisht shtëpinë tonë dhe e konsideronte familjen tonë, që vinte nga i njëjti fshat, si të tijën. Në shtëpinë tonë kemi ende karriget prej druri ku ai ulej gati 90 vjet më parë. Besoj se tregimet e fëmijërisë më kanë dhënë një ndjenjë të thellë identiteti dhe, më vonë, përgjegjësinë artistike, sikur muzika dhe poezia janë në gjakun tim. Babai im, të cilin të gjithë e thërrisnin Ton, ishte shoku im më i mirë. Ai më mësoi kuptimin e forcës, ndershmërisë dhe sakrificës që në moshë shumë të re. Kujtimi që mbaj më afër zemrës është shikimi në sytë e tij – mbushur me lot krenarie – ndërsa më shihte duke performuar në maturën e shkollës së mesme.”

Tiranë – Romë – Boston

Që në moshë shumë të re, Rozita ishte një interpretuese aktive duke udhëtuar në qytete të ndryshme evropiane. Në moshën 18-vjeçare, ajo fitoi një bursë të plotë në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” në Romë, Itali, ku vazhdoi studimet për Violinë. Pas gjashtë vitesh në Itali, ajo u zhvendos në Boston në vitin 2013. Gjatë karrierës së saj, ajo ka performuar me orkestra prestigjioze. “Në Romë, kam performuar me Orkestrën e Santa Cecilia-s nën drejtimin e dirigjentit me famë botërore Antonio Pappano. Në Boston, luajta me Filarmoninë e New England dhe Orkestrën Kendall Square, ku shërbeva si koncertmaster nga viti 2016 deri në 2020.”

Rozita bëhet “Elektrike”

E vendosur për ta kthyer muzikën në një karrierë, shkëndija tjetër e Rozitës mori hov kur ajo doli si interpretuese solo me violinë elektrike. “Edhe pse është i njëjti instrument, është një nivel krejtësisht tjetër produksioni,” vëren Arens Leka, një violinist dhe producent muzikor i njohur në Shqipëri dhe Nju Jork. Grupi “Bond Girls” nga Britania e Madhe, kuarteti elektrik i harqeve më i shitur i të gjitha kohërave, ishte frymëzimi që e “lidhi” Rozitën me këtë rrymë.

Rozita thotë se: “Për dallim nga violinisti i parë i orkestrës, i cili përfaqëson një ndjenjë të fuqishme uniteti, një interpretues solo është një përvojë shumë më personale dhe e prekshme. Kjo është një përgjegjësi shumë më e madhe dhe njëkohësisht një dialog më intim. I vlerësoj thellësisht të dyja përvojat, megjithatë ndjej se e gjej vërtet veten, zërin dhe shpirtin tim, kur performoj si soliste.”

Himni i Radio Marias dhe Formësimi i Artit të saj

Hyrja në peizazhin muzikor të Bostonit dhe rënia në sy janë detyra sfiduese. Aktualisht, ajo po ndjek një diplomë në Regjistrim dhe Produksion të Pavarur në “Berklee College of Music”. Rozita tregon se si u fton të kompozonte një këngë për Radio Marian në Shkodër kur ishte vetëm 18 vjeç. “Unë shkrova muzikën, luajta violinën dhe regjistrova zërin tim. Kënga përfundimisht u bë himni i radios. Kur ndeza radion dhe dëgjova këngën time, ishte një ndjenjë që më ndjek edhe sot. Ishte ndjenja ime e parë e vërtetë se muzika ime kishte një jetë përtej meje.”

Mirënjohja që vlen më shumë

Rozita Fishta ka performuar në vende prestigjioze si Wang Theater dhe Agganis Arena, dhe ka ndarë skenën me artistë si Ledisi, Q-Tip dhe Gilberto Santa Rosa. “Konfirmimi i artit tim është i rëndësishëm, por gëzimi më i madh vjen nga shikimi i krenarisë në sytë e djalit tim dhe nipërve të mi. Të dish se ata ndihen krenarë për mua është shpërblimi më i bukur,” thotë ajo.

Në skenë ajo ndërthur pop, rock, EDM, jazz dhe muzikë latine, duke e bërë çdo performancë të duket e lehtë, siç u pa edhe në eventet e fundit për AFC (Albanians Fighting Cancer) në Boston.

Fjalë për t’u mbajtur mend

“Ne moshen pesevjecare ajo e mori violinën dhe ushtroi për orë të tëra e shtyrë thjesht nga dashuria dhe kurioziteti. Më shumë se tre dekada më vonë, ajo vajzë e vogël më shërben si kujtesë për të mos humbur fokusin nga qëllimi im, për të vazhduar përpara me integritet, qëndrueshmëri dhe frymëzim.”

Dhjetor 2025