Në Salem të Massachusetts-it, në ambientet e Qendrës së të Moshuarve “Nëna Tereza”, u zhvillua një takim prekës me komunitetin shqiptar, ku në qendër të vëmendjes ishte historia e Çamërisë dhe dokumentari “Ode për tempujt që nuk u harruan”.
Ky aktivitet, i mbajtur vetëm pak ditë përpara Festivalit të Filmit në Kishën “Fan Noli”, krijoi një hapësirë të veçantë për dialog, reflektim dhe ndarje emocionesh rreth një prej plagëve më të thella të historisë sonë kombëtare – Çamërisë.
Dokumentari “Ode për tempujt që nuk u harruan”, një realizim i regjisorit Pandeli Çeço me interpretim të fuqishëm nga aktori Alfred Trebicka, u shfaq për të pranishmit me qëllimin për të ndriçuar një të vërtetë historike të lënë për shumë kohë në hije. Filmi u mirëprit me vëmendje të veçantë dhe emocione të dukshme nga të moshuarit dhe të ftuarit.
Në takim morën pjesë edhe Luan Rama, shkrimtar dhe skenarist i njohur nga Parisi, Alket Veliu, president i “Fondacionit Çamëria – Hasan Tahsini”, si dhe Bujar Alimani, regjisor i afirmuar dhe njëkohësisht drejtor artistik i Festivalit të Filmit. Të tre janë pjesë e komunitetit çam dhe sollën në këtë bashkëbisedim përvoja personale, kujtime familjare, por edhe mesazhe të qarta për të ardhmen.
Diskutimi pas filmit preku jo vetëm tragjedinë e dëbimit të shqiptarëve nga Çamëria dhe shkatërrimin e objekteve të tyre të trashëgimisë, por edhe heshtjen institucionale që vazhdon prej dekadash mbi këtë çështje. U theksua se Greqia zyrtare nuk ka kërkuar ende falje për masakrat e kryera në vitet 1944–1945, ndërsa shteti shqiptar, si në periudhën totalitare ashtu edhe gjatë tranzicionit, ka treguar një indiferencë të dhimbshme ndaj kësaj drame kolektive.
Pjesëmarrësit në takim treguan përkushtim dhe interes të veçantë, jo vetëm për të njohur të shkuarën, por edhe për të qenë pjesë e përpjekjeve për drejtësi dhe kujtesë. U fol për nevojën që brezat e rinj, sidomos ata që rriten në diasporë, të njihen me këtë histori – jo si një çështje politike, por si një amanet i pazgjidhur i kombit.
Takimi në Qendrën “Nëna Tereza” nuk ishte thjesht një shfaqje filmi. Ishte një përqafim shpirtëror me kujtesën, një akt qytetar ndaj historisë sonë të lënduar, dhe një apel që kjo histori të mos mbulohet nga heshtja, por të dëgjohet dhe të nderohet.
Shkrim: USALB TV
Foto: Nga aktiviteti në Qendrën “Nëna Tereza”, Salem MA